Vjen njoftimi i rëndësishëm për të gjitha shkollat në Kosovë

Lajme

Nagavci: Deri në shtator të gjithë punëtorët arsimorë duhet të jenë të vaksinuar.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se viti shkollor 2021/22 po planifikohet të fillojë me pjesëmarrje të plot fizike, andaj thotë se stafi arsimor duhet të jenë të përgatitur dhe të vaksinuar.

Nagavci përmes një postimi në Facebook ka thënë se deri në muajin shtator të gjithë punëtorët arsimorë të jenë të vaksinuar me dy vaksinat kundër COVID-19.

“Ne jemi duke planifikuar që vitin shkollor 2021-2022 ta fillojmë me pjesëmarrje të plotë fizike, andaj stafi arsimor duhet të jenë të përgatitur dhe të vaksinuar. Dëmet e shkaktuara në arsim nga pandemia janë evidente dhe shumë dimensionale prandaj, na duhet mobilizim i të gjithëve që të arrijmë përmirësim të gjendjes dhe rezultatet e synuara. Shtatori duhet të na gjejë me punëtorë arsimor të vaksinuar me të dy dozat e vaksinës kundër Covid-19. Fatmirësisht ka mjaftueshëm vaksina të cilat janë të aprovuara dhe të sigurta”, shkroi Nagavci.

Ajo u ka bërë thirrje të gjithë atyre që nuk janë vaksinuar, të vaksinohen sa më shpejtë.

“Vaksinimi është një nga parakushtet për kujdesin ndaj vetes dhe shëndetit publik si dhe krijimin e kushteve për mësim me prezencë fizike andaj dhe punëtorët arsimor duhet të jenë shembull në këtë drejtim.

Ju bëj thirrje të gjithë juve që akoma nuk jeni vaksinuar, që pa humbur kohë të caktoni terminet për vaksinim në mënyrë që ta mbroni shëndetin tuaj dhe të të tjerëve, por edhe që të jemi të gatshëm për një fillim sa më të mbarë të vitit shkollor. Shëndet të gjithëve!”, shkroi ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *