Vetëm dy shtretër të lirë nga gjithsej 120 sa janë në Klinikën Infektive

Lajme

Numri I vdekjeve çdo ditë po rritet në Kosovë.

10 persona kanë humbur jetën gjatë 24 orëve të fundit nga përballja e tyre me virusin SARS CoV-2.
Përpos kësaj gjatë të njëjtës kohë janë konfirmuar edhe 705 raste të reja të të infektuarve me koronavirus duke e çuar kështu numrin e rasteve aktive në 12 mijë e 808.

Por si qëndron në fakt situata me COVID-19 brenda përbrenda klinikave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Lajmi.net ka kontaktuar Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës të cilët kanë bërë të ditur se janë gjithsej 865 pacientë të shtrirë në klinika dhe spitale anembanë vendit, por që 706 nga këta pacientë janë konfirmuar si të prekur me COVID-19.

Gjendja e këtyre pacientëve është kësisoj: 11 prej tyre janë në respiratorë, 25 të tjerë në CPAP dhe 669 pacientë janë me oksigjeno-terapi.

Gjatë ditëve që lamë pas pati raportime të ndryshme se Klinika Infektive është e stërmbushur me pacientë dhe kësisoj pacientët e prekur me koronavirus janë shpërndarë nëpër klinika të tjera në mënyrë që t’u jepet mjekimi i nevojshëm.

Por në Klinikën Infektive pacientët janë të ndarë në tri pjesë, në Infektiven I, II dhe III.

Në Klinikën Infektive I janë gjithsej 118 pacientë të hospitalizuar të gjithë të konfirmuar si pozitiv me COVID-19, kurse në Klinikën Infektive II janë 91 pacientë ku 82 prej tyre janë të konfirmuar si të prekur me koronavirus.

Më e lehtë është situata në Klinikën Infektive II ku të shtrirë me COVID-19 janë 17 pacientë, raporton lajmi.net.

Në Klinikën e Pulmologjisë janë gjithsej 85 pacientë të shtrirë, ku 34 prej tyre janë konfirmuar si pozitiv me COVID-19, ndërsa në Klinikën Pediatrike janë gjithsej 16 pacientë ndërsa katër prej tyre janë konfirmuar me koronavirus. Përpos kësaj në kuadër të klinikës MIQ-COVID janë 17 pacientë të konfirmuar me SARS CoV-2.

Në bazë të dhënave të dërguara nga SHSKUK bëhet e ditur se janë gjithsej 345 pacientë të hospitalizuar në kuadër të të gjitha klinikave.

Llogaritur në numrin e shtretërve numri i shtretërve në kuadër të Klinikës Infektive në QKUK është gjithsej 120, e vende të lira në kuadër të kësaj klinike janë vetëm dy.

E ngjashme është situata edhe në Klinikën Infektive II dhe III, ku në të parën janë shtatë shtretër të lirë, kurse në të tretën janë vetëm 9.

Duhet përkujtuar që Kosova po vazhdon të përballet me një situatë mjaftë të rënduar si pasojë e rasteve të shumta me COVID-19.

Që nga marsi i vitit të kaluar kur edhe u konfirmuan rastet e para shumë prej qytetarëve po përballen me probleme shëndetësore si pasojë e këtij virusi.

Edhe pse thuajse të gjitha vendet e botës tashmë kanë marrë mijëra doza të vaksinës anti-COVID një gjë e tillë nuk u bë edhe në Kosovë.

Shteti ynë vazhdon të jetë ndër vendet e pakta të botës që vazhdon të mos ketë asnjë dozë vaksine anti-COVID.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *