Vetëm 118 vullnetarë i kanë plotësuar kriteret për dhurim, kërkesa të shumta për plazmë të gjakut për personat me koronavirus

Lajme

Kërkesa të shumta për plazmë të gjakut për personat me COVID, vetëm 118 vullnetarë i kanë plotësuar kriteret për dhurim.

65 mijë e 979 persona deri tani raportohet se janë shëruar nga virusi COVID-19 në Kosovë.

Nga ta, 595 persona janë paraqitur vullnetarë për të dhuruar plazmë të gjakut për personat e infektuar me koronavirus.

Qytetarë të shumtë për çdo ditë po kërkojnë ndihmë për sigurimin e plazmës së gjakut nga qytetarët, për shkak të mungesave në institucionet publike shëndetësore në Kosovë.

Nga rreth 66 mijë persona që kanë kaluar virusin COVID-19 në Kosovë, vetëm 595 janë paraqitur vullnetarë për të dhuruar gjak, rrjedhimisht plazmë të gjakut e cila po kërkohet çdo ditë e më shumë nga pacientë të infektuar me këtë virus. Nga këta vullnetarë, vetëm 118 i kanë plotësuar kushtet për të dhënë plazmën e gjakut.

Plazmë e gjakut është kërkuar edhe për fytyra publike, për të cilët është raportuar se është siguruar më shpejt.

Doktoresha në Qendrën Kombëtare për Transfuzion të Gjakut, Hedije Mahmutaj, ka thënë për Express se nga janari i këtij viti në këtë qendër kanë dhënë gjak 3 mijë persona, 595 prej të cilëve kanë deklaruar se e kanë kaluar COVID’in, ndërsa prej tyre 118 kanë plotësuar kushtet për plazmë të gjakut.

Ajo ka treguar se për të plotësuar kriteret për të dhuruar plazmë të gjakut, dhuruesit e gjakut duhet të plotësojnë disa pyetësorë, duhet që për 14 ditë të mos kenë marrë asnjë terapi e të kenë krijuar antitrupa.

“Ne kemi pyetësorin që dhuruesit e rregullt të gjakut duhet ta plotësojnë, dhe pastaj e vlerëson mjeku se a i ka plotësuar kushtet për të dhuruar gjak. Pastaj kemi edhe pyetësorin Anti-COVID që duhet ta plotësojnë. Në pyetësorin Anti-COVID, shkruan se nëse 14 ditë dhuruesi nuk ka marrë asnjë terapi dhe nuk ka pasur asnjë simptomë, ai duhet të sjell një dokument që ka qenë në PCR pozitiv, apo që ka antitrupa prezent”, ka thënë ajo.

Mahmutaj ka treguar se këtë javë kanë pasur më shumë kërkesa për gjak të grupit A, ndërsa ka thënë se Klinika Infektive i bënë kërkesat për plazmë të gjakut në këtë qendër, pastaj sipas mundësive, ata i sigurojnë ato.

“Kemi grupe të gjakut që nuk përputhen. Ndoshta prej atyre që kanë dhuruar gjak nuk na përputhen plazmat që i kemi me pacientët që i kanë kërkuar. Këtë javë kanë kërkuar të grupit A, javën e kaluar ka pasur kërkesë për B e zero. Ndërsa, Klinika Infektive e bënë kërkesën për plazmë dhe ne sipas mundësive i furnizojmë. Ne jemi duke bërë punë dyfish. Jemi të ngarkuar por jemi duke e bërë maksimumin për gjetjen e dhuruesve të gjakut”, ka thënë ajo.

Mahmutaj ka deklaruar se plazma e gjakut ju dhurohet të gjithë personave me rrallë, pa marrë parasysh a janë fytyra publike apo jo, derisa është shprehur se gjithmonë kanë apeluar të qytetarët që gëzojnë shëndet të mirë dhe që e kanë kaluar virusin, të lajmërohet në këtë qendër për dhurim të gjakut.

Derisa kërkesat për plazmë të gjakut po rritet, po kërkohet nga institucionet publike shëndetësore të organizojnë fushata për mobilizimin e atyre që e kanë kaluar virusin, për dhënien e gjakut.

Zëdhënës për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë për Express se bashkë me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut në vazhdimësi bëjnë fushata dhe thirrje për dhurues vullnetar të gjakut.

Nga MSH është thënë se fjalën profesionale për këtë duhet ta thonë klinicistët dhe ekspertët e fushës përkatës.

Tutje, nga kjo ministri kanë deklaruar se ky tretman është i ri në Kosovë, andaj edhe duhet bërë një analizë rreth suksesit të deritanishëm

“Në kuadër të fushatave kundër COVID, synohet që të preken të gjitha aspektet e luftës kundër COVID-19, ndërsa tek plazma, më shumë se çdo institucion tjetër, fjalën profesionale duhet ta thonë klinicistët dhe ekspertët e fushës përkatëse, që edhe janë duke e bërë, por keni parasysh se ky është një tretman i ri në Kosovë kundër COVID-19 dhe duhet bëre edhe analize rreth suksesit të deritanishëm të përdorimit të plazmës tek COVID-19, në mënyrë specifike”, kanë shtuar ata.

Më 5 shkurt të këtij viti, Klinika Infektive ka filluar për herë të parë trajtimin e pacientëve me COVID-19 me plazmën e gjakut.

Trajtimi i pacientëve me COVID -19 me plazmë konvalescente bëhet duke marrë plazmën e gjakut nga pacientët e shëruar nga koronavirusi, pasi që gjaku i tyre ka antitrupa që luftojnë virusin. Transfuzioni i antitrupave besohet se krijon atë që njihet si “imuniteti pasiv” te të prekurit me COVID-19.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *