Varianti i ri i koronavirusit mund të përhapet nga tubimet politike

Lajme

Fushata politike rrit rrezikun e përhapjes së variantit të ri të koronavirusit.

Ndonëse në kohë pandemie, subjektet politike në vend sot kanë filluar fushatën për zgjedhjet e 14 shkurtit. Duke i parë tubimet politike që kanë filluar para fushatës, njohës e përfaqësues shëndetësorë, frikësohen se gjendja me pandeminë do të dalë nga menaxhimi. Aq më shumë, situata mund t’i kontribuojë përhapjes më të shpejtë të variantit të ri të koronavirusit, raporton Gazeta Express.

Fushata zgjedhore mund ta rëndojë edhe më shumë gjendjen me pandeminë COVID-19. Kështu vlerësojnë njohës të fushës së shëndetësisë, të cilët thonë se rreziku është shtuar me prezencën e variantit të ri të koronavirusit, i cili mund të përhapet shumë më shpejt se varianti aktual.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka thënë për Express, se disa herë kanë bërë apel që të respektohet masat kundër koronavirusit në tubimet politike, por që, sipas tij, askush nuk është duke i dëgjuar.

Ai ka deklaruar se qytetarët janë shumë të rrezikuar nga koronavirusi dhe variant i ri i tij dhe se gjendje mund të rëndohet nga përhapja e tyre gjatë fushatës.

“Unë për disa ditë kam bërë apel publik që të respektojnë masat anti-COVID sepse janë bërë 1 vit që kur jemi duke u ballafaquar me këtë virus dhe tani edhe me formën e re të COVID-it jemi duke rrezikuar shumë, kur s’jemi askund as me vaksina. Është përgjegjësi e partive kjo gjë. Sindikata do ta përcjell me vëmendje situatën, sepse një katastrofë mund të ndodh në vend”, ka thënë ai.

Syla ka theksuar se derisa shtetet tjera në Evropë janë duke u mbyllur për ta parandaluar përhapjen e virusit, Kosova është në komoditet.

Tutje ai ka thënë, se tashmë punëtorët shëndetësorë janë shumë të lodhur nga gjendja me pandeminë.

“Kur e gjithë Evropa po mbyllet ne kemi një komoditet të paparë. Nuk e di çfarë po bëjmë. Tani edhe punëtorët shëndetësorë janë shumë të lodhur. Një e treta e tyre është infektuar me virus. Ne i kemi adresuar kërkesat tona publikisht, por me të vërtetë askush s’po na dëgjon”, ka shtuar ai.

Ndërsa, edhe mikrobiologu Lul Raka, ka pasur kritika për partitë politike të cilat po mbajnë tubime në kohë pandemie.

Ai ka thënë se pasi varianti i ri i koronavirusit është prezent në vend, qytetarët rrezikohen pasi ai përhapet shumë më lehtë.

“Fatkeqësisht tani është koha shumë e ndjeshme. Nëse në parafushatë kemi pasur tubime të njerëzve, në këtë javë dhe në javën e ardhshme atmosfera zgjedhore do të nxehet edhe më shumë. Liderët e të gjitha partive dhe të gjithë kandidatët duhet ta kenë të qartë se jeta e simpatizantëve të tyre është shumë më e rëndësishme se sa vota”, ka thënë.

Ndërsa, drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, ka thënë për Express, se tubimet e partive politike po vazhdojnë, ndërsa bashkë me to do të vazhdojnë edhe gjobat.

Ai ka thënë se do të vazhdojnë inspektimet dhe sipas Ligjit do të gjobitin subjektet politike.

“Inspektorët do të inspektojnë. Unë po e shoh që tubimet po vazhdojnë dhe bashkë me to do të vazhdojnë edhe gjobat”, ka thënë ai.

Drejtoria e Inspeksionit tashmë ka dënuar disa herë subjektet politike me nga 2 mijë euro për mosrespektim të masave anti-COVID.

Ndërsa, kujtojmë që infektologët në vend kanë deklaruar që në rast se nuk intervenohet si duhet në parandalimin e përhapjes së variantit të ri të koronavirusit, ky variant do të bëhet dominues në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *