Vaksinimi anti-Covid, Qeveria harron gazetarët

Lajme

Një numër i madh i gazetarëve në Kosovë, gjatë kohës sa po punonin, u infektuan me covid-19

Për të raportuar për procesin e vaksinimit në sallën “1 Tetori”, shkuan disa herë.

Por, në këtë karrigë për t’u vaksinuar, deri më tani, nuk pati fatin të ulet asnjë gazetar apo punëtor i mediave në Kosovë.

Pavarësisht se që nga dita kur u lajmëruan rastet e para me koronavirus në vend, nuk u ndalën asnjëherë se raportuari, duket se shteti i ka harruar punëtorët e mediave.

Në tri fazat e parapara Plan Shtetëror të Vaksinimit, i përgatitur në kohën sa ministër i Shëndetësisë ishte Armend Zemaj, përmenden të moshuarit, personat me sëmundjet kronike, mësuesit dhe forcat e sigurisë, por jo edhe gazetarët.

Për këtë, nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, thonë se i janë drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë.

“AGK, më 6 dhe 14 prill ka dërguar kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë për t’i përfshirë gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët në grupet me prioritet të lartë, të cilët do të imunizohen që në dozat e para të vaksinave të cilat i ka pranuar Kosova. Kjo për faktin se gazetarët kanë kontribuuar në vazhdimësi gjatë pandemisë, si me informim të drejtë, ashtu edhe në parandalimin e shpërndarjes së dezinformatave”, kanë thënë nga AGK, raporton T7, shkruan Express.

Sipas AGK-së, gazetarët ashtu si mjekët e policët, ishin në vijën e parë të frontit në përballjen me covid-19.

“E tërë veprimtaria e tyre është shtrirë në vijën e parë të frontit, së bashku me punonjësit e tjerë esencial. Kanë raportuar nga vatrat e infeksionit qysh prej shfaqjes së rasteve të para me COVID-19 në Kosovë, kanë mbuluar ngjarjet politike dhe sociale gjithashtu, në mënyrën më profesionale të mundshme, në ndërkohë që janë përballur me një të panjohur për të gjithë ne”, kanë deklaruar nga AGK.

Ndërkohë, në një përgjigje me shkrim, kanë thënë se plani shtetëror i vaksinimit do te përditësohet sipas nevojave qe i ka ky proces.

“Ne e vlerësojmë punën e çmuar të gazetarëve në informimin publik, dhe mund të konfirmojmë që vaksinimi kundër COVID-19 po vazhdon sipas planit shtetëror të vaksinimit. Ne kuader te Planit parashihet vaksinimi sipas kategorive në relacion me fluksin e dozave, dhe fokusi eshte tek te moshuarit e moshës mbi 65 vjeç dhe personat me sëmundje kronike”, kanë deklaruar nga MSH.

Ndryshe, një numër i madh i gazetarëve në Kosovë, gjatë kohës sa po punonin, u infektuan me covid-19.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *