Thaçit i vjen ‘goditja’ e fortë: Emrat, ja për cilat vrasje u mor në pyetje në Speciale

Lajme

MË: 18 KORRIK 2020
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas katër ditësh e ka përfunduar inervistimin në Gjykatën Speciale.

Në aktakuzën e propozuar nga prokurori i Speciales, Thaçi ndër tjerash akuzohet për vrasjen dhe eliminimin e kundërshtarëve politikë.

Por Thaçi e ka mohuar që në Gjykatën Speciale është pyetur për këto raste dhe periudhën e pasluftës.

“Unë sonte nuk e kam të drejtën të flas në lidhje me dëshminë time mirëpo mund të ju konfirmoj që nuk jam pyetur për pretendime të tilla në asnjë rast”, tha Thaçi ditën kur përfundoi intervistimin në Speciale.

Por, sipas Nexhat Hazirit, analist dhe njohës i zhvillimeve në Kosovë, ajo se çfarë është pyetur Thaçi në Hagë është konfidenciale për aq sa kohë nuk vërtetohet aktakuza edhe nga gjykatësi përkatës.

“Mendoj se pritja që presidenti Thaçi të bëjë publike se për çfarë është intervistuar nga prokurorët e Gjykatës Speciale, për cilat raste konkretisht, është jo reale. Është në natyrën e këtyre proceseve që gjerat për të cilat bisedohet apo intervistohen të dyshuarit, ato mbesin konfidenciale për aq sa kohë nuk vërtetohet aktakuza edhe nga gjykatësi përkatës. Dhe tani ne vetëm mund të paragjykojmë se për cilat raste konkrete është intervistuar z. Thaçi nga prokurorët e Gjykatës Speciale, edhe pse në rastin e ngritjes së propozim aktakuzës, thuhet se bëhet fjalë për 100 vrasje”, shprehet Haziri për “Bota Sot”.

ImageNexhat Haziri

Sipas tij, Thaçi është pyetur edhe për vrasjet politike të cilat kanë ndodhur në Kosovë gjatë dhe pas luftës.

“Dhe nëse nisem nga ky fakt, atëherë është shumë reale që z. Thaçi të jetë pyetur edhe për vrasjet e kundërshtarëve politik, por edhe kundërshtarëve të tjerë brenda llojit, siç është ajo e Behajdin Hallaqit, Ali Ukës, dhe të tjerëve gjatë periudhës së luftës ku kemi pasur edhe vrasje si ajo e kolonel Ahmet Krasniqit, Enver Malokut, Ismail Berbatovcit Xhemajl Mustafës, Haki Imerit dhe aktivistëve të tjerë të LDK-së, bashkëpunëtor të presidentit Ibrahim Rugova. Por edhe vrasjeve që ndodhën pas mbarimit të luftës, vrasje këto të cilësuara politike, që është thënë e shkruar edhe në raportet ndërkombëtare se kanë qenë vrasje mire të planifikuara dhe të ekzekutuara nga një organizatë e mirë e organizuar dhe nga vrasës profesionist”, thekson Haziri.

Më tej, ai thotë se Thaçi është marrë në pyetje nga prokurorët e Speciales edhe për burgjet, që sipas tij kanë ekzistuar gjatë luftës.

“Po ashtu mendoj se presidenti Thaçi është pyetur edhe për burgjet e UÇK-së, të ashtuquajturat qendra të ndalimit ku janë maltretuar dhe ekzekutuar civil, e që për mua janë krime që duhet ndriçuar për të sjellë drejtësinë në vend. Pra me një fjalë pres që Gjykata special të hedhë dritë në një pjesë të errët të luftës së UÇK-së, ku individë të caktuar që kanë pasur peshë në hierarkinë e UÇK-së, duhet të mbajnë përgjegjësi për krimet e bëra, ato ekzistojnë dhe si të tilla duhet të marrin epilog, duke iu dhënë drejtësinë e merituar viktimave dhe familjeve të tyre, ndërsa dënime për kryesit e tyre”, deklaron Haziri për “Bota Sot”.

“Nëse kjo Gjykatë nuk iu trajton edhe vrasjet politike, për të cilat ekzistojnë dëshmi të cilat i dinë dhe i kanë institucionet ndërkombëtare qofshin ato të UNMIK-ut, por edhe këtu të EULEX-it, Gjykata Speciale do të dështoj në misionin e saj për të vendosur drejtësi, dhe kjo çështje do të vazhdoj të jetë si një gurë I rënd rreth qafës për Kosovën”, përfundon analisti dhe njohësi i zhvillimeve në vend, Nexhat Haziri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *