Të pavaksinuarit po e përhapin koronavirusin në Kosovë

Lajme

Gati se të gjitha rastet aktive me COVID-19 në Kosovë nuk janë të vaksinuara kundër këtij virusi, thonë drejtorë të spitaleve. Nga qindra rastet pozitive ditëve të fundit, vetëm tre prej tyre, sipas QKUK-së, kanë qenë të vaksinuar.

Të pavaksinuar, shumica e qytetarëve po i ekspozohen rrezikut ndaj virusit SARS‑CoV‑2, e variantit Delta të këtij virusi i cili është vlerësuar si më i rrezikshëm.

Me rritjen e numrit të rasteve të reja të infektuara me COVID-19, drejtorë të spitaleve të përgjithshme e të klinikave të QKUK’së tregojnë se gati të gjithë ata që po kërkojnë trajtim shëndetësor janë të pavaksinuar.

Ndonëse nuk ka të dhëna të sakta për numrin e tyre, vlerësohet se vetëm një numër i vogël i qytetarëve që janë vaksinuar (sisa me vetëm një dozë), janë infektuar me koronavirus.

E për këto raste, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka filluar të kërkoj raporte nga institucionet shëndetësore.

Kështu ka thënë për Express drejtori i IKSHPK’së, Naser Ramadani.

“Duke qenë se jemi duke kërkuar raportet nga institucionet shëndetësore posa të kompletohen do të dërgohen”, ka thënë ai.

Megjithëse janë infektuar me koronavirus, infektologët thonë se të vaksinuarit po e kalojnë shumë më lehtë atë.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj ka treguar për Express se në mesin e të infektuarve me COVID-19 që kanë kërkuar trajtim shëndetësorë në këtë klinikë janë edhe 3 pacientë të vaksinuar.

Vishaj ka treguar se këta pacientë janë duke e kaluar shumë më lehtë virusin.

“I kemi 3 pacientë të vaksinuar. Këta pacientë që janë të vaksinuar janë duke zhvilluar një kohë klinike shumë më të lehtë. Vaksinimi është i domosdoshëm”, ka thënë ai.

Për dallim nga QKUK’ja, nga disa prej spitaleve të përgjithshme thonë se nuk kanë pacientë të infektuar me koronavirus të cilët janë të vaksinuar.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Gjilan, Selami Xhemaili, ka thënë për Express se deri tani nuk kanë pasur raste që janë vaksinuar e pastaj janë infektuar me koronavirus.

“Për sa kemi informata nga Qendra regjionale e Shëndetit Publik, asnjë rast nuk është që ka qenë i vaksinuar dhe është prekur me COVID”, ka thënë ai.

Edhe zëdhënës për informim në Spitalin e Pejës kanë thënë për gazetën se nuk kanë pacientë të vaksinuar që janë të hospitalizuar për shkak të infektimit me koronavirus.

Ndërsa, pulmologu në spitalin e Ferizajt, Hajdin Lata ka thënë po ashtu se deri tani nuk kanë pasur pacientë të vaksinuar që kanë kërkuar trajtim mjekësor për shkak të infektimit me COVID-19.

Ai ka treguar se në këtë spital nuk është i hospitalizuar asnjë pacientë me COVID-19.

“Momentalisht nuk jemi duke i trajtuar pacientët me COVID-19 prej përfundimit të fazës së tretë të COVID-it”, ka deklaruar ai.

Nga Spitali i Gjakovës kanë treguar se 5 pacientë të hospitalizuar me koronavirus i kanë nga Shqipëria, ndërsa 4 nga Kosova.

Nga ky spital janë shprehur se duhet të shohin anamnezën e të infektuarve për të kuptuar nëse pacientët kanë qenë të vaksinuar.

Kujtojmë që nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik u kanë bërë thirrje disa herë qytetarëve që të vaksinohen kundër COVID-19, aq më shumë kur edhe varianti Delta i këtij virusi është i pranishëm në vend.

A mund ta përhapin koronavirusin personat e vaksinuar?

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vaksinat COVID-19 prodhojnë mbrojtje kundër sëmundjes, si rezultat i zhvillimit të një përgjigje imune ndaj virusit SARS-Cov-2, andaj edhe imuniteti ndihmon qytetarët që të luftojnë virusin.

Megjithatë, personat e vaksinuar nuk janë 100 për qind të mbrojtur nga virusi COVID-19, por që gjasat janë më të vogla që ata ta transmetojnë atë.

Të dhënat tregojnë se personat që janë vaksinuar me dy doza të vaksinave kanë më pak gjasa se sa personat e pavaksinuar ta transmetojnë koronavirusin te të tjerët.

Ndërsa, efektiviteti i vaksinës kundër shtrimit në spital dhe vdekjes vlerësohet se është i lartë për të gjitha variantet aktuale të SARS-CoV-2.

Një studim i kryer nga qeveria e Britanisë, rezultoi se vaksinat Pfizer dhe AstraZeneca ishin shumë efektive kundër variantit Delta e po ashtu edhe varianteve tjera.

Mediat e huaja raportojnë se njerëzit e infektuar me variantin Delta kanë dy herë më shumë gjasa të përfundojnë në spital.

Andaj, qytetarëve i është kërkuar që të vaksinohen sa më shpejtë kundër COVID-19, pasi që varianti Delta i këtij virusi po përhapet me shpejtësi në shumë shtete, përfshirë edhe në Kosovë.

Ndërsa, përkundër efektivitetit të vaksinave, edhe personave të vaksinuar u rekomandohet që të bartin maskat e të respektojnë masat mbrojtëse në mënyrë që të mos infektohen me koronavirus

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *