Tahiri – Kurtit : Çdo marrëveshje që kam nënshkruar në Bruksel ka qenë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin

Lajme

Edita Tahiri thotë se çdo marrëveshje që ka nënshkruar në Bruksel ka qenë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin.

Në prag të takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, kryeministri Albin Kurti i bëri një analizë procesit të dialogut. Për gjetjet e analizës ai raportoi edhe në Kuvendin e Kosovës. Duke përmendur disa nga marrëveshjet që janë arrirë përgjatë historikut të këtij procesi, Kurti u ndal edhe tek marrëveshjet e arrira brenda gjashtë vitesh, sa Edita Tahiri ishte kryenegociatore. Kjo e fundit tha për Express, se të gjitha marrëveshjet që janë nënshkruar nga ajo janë në përputhje me Ligjin dhe Kushtetutë

Në analizën që ai i kishte bërë procesit të dialogut, kryeministri Albin Kurti dje para deputetëve dhe kabinetit qeveritar, e ka përmendur në dy raste, Edita Tahirin, ish-kryenegociatore e Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi.

Gjatë fjalimit në Kuvendin e Kosovës, Kurti u ndal tek marrëveshja për energjinë. Ai tha se ka gjetur fakte në raport se dokumenti është nënshkruar, e ku në një fjali thuhet se “prona brenda territorit të Kosovës është në pronësi të Serbisë”.

“Rast më kurioz kemi të marrëveshja, apo konkluzioni i ndërmjetësit të BE për energjinë të datës 25 gusht 2015, për të cilën znj. Tahiri në dokumentin e saj mbi përfitimet shtetërore të Republikës së Kosovës nga pakoja e marrëveshjeve të 25 gushtit 2015, konstaton sa vijon: “Në këtë marrëveshje, Serbia ka njohur denominimin Republika e Kosovës si dhe ka hequr dorë nga përdorimi i fusnotës në dokument, ku ka vënë nënshkrim edhe kryeministri i Serbisë”. E vërteta është se denominimi Republika e Kosovës, përdoret vetëm në faqen e dytë e cila nuk ka fare nënshkrime, dhe atë në pjesën e dokumentit të quajtur disclaimers, ku krahas vendit ku përmendet denominimi Republika e Kosovës, qëndron edhe kjo fjali: Serbia konsideron se në pajtim me legjislacionin vendor dhe ndërkombëtar apo rezolutën 1244, prona brenda territorit të Kosovës është në pronësi të Serbisë”, ka thënë Kurti dje në Kuvend.

Lidhur me këtë çështje ish-kryenegociatorja, Tahiri ka thënë për Gazetën Express se kjo marrëveshje e tëra ka qenë e bazuar në Ligjin për Telekomin e Kosovës.

“Marrëveshja për Energji për ta pasur të qartë është e bazuar në ligjin e Kosovës, përkatësisht Ligjit për Telekomin në Kosovë. Me këtë marrëveshje është shuar struktura paralele e energjisë në veri me strukturat paralele. Janë shuar të gjitha strukturat paralele. Kosova e ka shtrirë sovranitetin energjetik, ka vendosur kufirin energjetik ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë dhe dua të shtoj që kjo marrëveshje ka mundur që të zbatohet në saje të ndihmës së Gjermanisë vitin e kaluar, e cila intervenoi në Organizatën Evropiane të Transmisionit Energjetik dhe bëri presion që të vendoset pavarësia energjetike e Kosovës nga kjo organizatë evropiane, sepse Serbia nuk e lejonte dhe e pengonte me vota”, ka thënë më tutje ajo për Express.

Tutje derisa fliste për marrëveshjet për menaxhimin e integruar të kufirit, lirinë e lëvizjes, regjistrat civil dhe atë kastral, telekomin dhe energjinë, Kurti tha se marrëveshjet janë proklamuar për përfitime të mëdha ekonomike, teksa shtoi se asokohe qytetarët kishin krijuar iluzion se dialogu kishte vendosur Kosovën dhe Serbinë në binarë të normalizimit.

“Nga këto marrëveshje janë pritur përfitime të mëdha për vendin, në fusha nga më të ndryshmet. Kështu për shembull në një raport të datës 27.08.2015 të ministres për Dialog të Qeverisë së Republikës së Kosovës, asokohe zonjës Tahiri, thuhej mes tjerash që përfitimet ekonomike të Kosovës nga marrëveshja për kodin telefonik do të ishin të mëdha, që do kishte përmirësim të cilësisë së shërbimeve dhe ulje shumë të ndjeshme të kostos së operimit të ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës. Përmes raportimeve që jo doemos reflektonin zhvillimet në terren krijohej një iluzion që dialogu kishte vendosur Kosovën dhe Serbinë në binarë të duhur të normalizimit dhe shtensionimit të situatës. Kjo pastaj pashmangshëm kishte ndikuar në ushqimin e idesë se mund të vazhdohej me trajtim të fragmentuar të problemeve, për çështje kryesisht të brendshme të Kosovës dhe shmangie të vëmendjes nga tema e madhe e marrëveshjes përfundimtare”, ka thënë dje Kurti.

Tahiri për Express ka deklaruar se të gjitha marrëveshjet që janë arrirë në Bruksel gjatë kohës sa ajo ka qenë kryenegociatore e procesit, kanë qenë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën.

“Rrjedhat dhe rezultatet e dialogut të Brukselit përfshirë edhe periudhën kur kam qenë unë kryenegociatore prej vitit 2011 deri në vitin 2017. Siç kam thënë gjithmonë të gjitha marrëveshjet që janë arrirë në Bruksel janë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe kjo qeveri i ka analizuar. po të kishte gjetur shkelje do t’i thoshte dje në Parlament apo ka edhe mundësi të tjera. Fakti që i kanë përmendur këto çështje, ata e dinë që marrëveshjet janë në pajtim me Ligjin dhe me Kushtetutën”, ka thënë ajo për Express.

Lidhur me çështjet që përmendi Kurti, Tahiri tha se me anë të marrëveshjeve në Bruksel ka ndodhur integrimi i pjesës veriore të Kosovës, në sistemin shtetëror.

“Dialogu i Brukselit ka mundësuar integrimin e pjesës veriore të vendit në sistemin shtetërore të Kosovës, duke i vënë strukturat paralele në një funksion më të rëndësishëm siç janë, drejtësia, policia, dogana dhe ne kemi rikthyer autoritetet shtetërore doganore në pika dhe kemi rivendosur edhe të gjitha strukturat që duhet të përfshihen”, deklaroi ajo.

Ish-kryenegociatorja, u ndal edhe tek marrëveshja për kodin telefonik të Kosovës. Ajo tha për Express, se pikërisht dialogu i Brukselit ka mundësuar që Kosova ta ketë kodin e vet telefonik.

“Siç e dini prej pasluftës Kosova e ka mbajtur kodin e okupatorit me +381. Dialogu i Brukselit ka mundësuar që Kosova ta merr kodin e vet shtetëror telefonik, nga ana e IPU-së, pra Organizatës për Telekom të OKB-së dhe praktikisht Kosova ka forcuar subjektivitetin shtetëror në planin ndërkombëtarë, sepse ligjet në fushën e Telekomit përveç kodit edhe Kosova është njohur si shtet i pavarur dhe sovran. Ajo që e ka sjell këtë marrëveshje është rezultat i suksesit të negociatave të Brukselit, por edhe fakti që Kosova ka pasur kodin telefonik shtetëror kur ka qenë me ish-Jugosllavinë si njësi federale. në atë kohë IPU-ja ja ka ndarë tetë njësive kodet dhe unë kam lutur që njëri prej kodeve të bëhet i joni dhe është bërë +383”, ka deklaruar më tutje ajo.

E kryeministri Kurti i cili të martën pritet që në kryeqendrën evropiane, të takohet me presidentin serbë, Aleksandër Vuçiq, tha se Kosova nuk duhet që të trajtohet si peng i mosmarrëveshjes me Serbinë sepse i bën vendit një dëm të jashtëzakonshëm.

“Ajo për të cilën unë do të doja të kishim konsensus është që të mos e trajtojmë shtetin tonë si peng i mosmarrëveshjes me Serbinë sepse kjo është një urgjencë artificiale e cila ka bërë dëm të jashtëzakonshëm e po vazhdon të na bëjë ende. Le të sillemi e veprojmë ashtu siç jemi, deputetë e qeveritarë të republikës së Kosovës, shtet i pavarur e sovran. Nuk i kemi borxh askujt, por na kanë borxh shumëçka”, ka thënë ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *