Shpërthen Shqiprim Arifi: Ardita Sinani u zgjodh kryetare e Preshevës falë sistemit elektoral të pazareve

Lajme

Ish-kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka reaguar pak orë pasi Ardita Sinani u zgjodh kryetare e kësaj komune.

Ai thotë se zgjedhja e Sinanit në pozitën e kryetares erdhi si pasojë e pazareve, dhe kjo falë sistemit zgjedhor që është.

Këtë e lidhë me faktin se partia e tij, Alternativa ishte fituese e zgjedhjeve në Preshevë, por se partitë tjera shqiptare lidhën koalicion dhe sot votuan për kryetare të komunës, Ardita Sinanin.

Postimi i plotë i Arifit:

Ishin plotë tre vite qeverisje në cilësinë e kryetarit të Komunës së Preshevës, ishte nder i veçantë për mua t`i shërbej qytetarëve të Komunës së Preshevës.

Shumë punë kemi përfunduar, e shumë punë tjera kemi filluar në të mirën e vendit tonë. Gjithmonë e përherë ndihem krenar për Preshevën.

Jam falënderues për ju, të nderuar qytetarë të Komunës së Preshevës që edhe në zgjedhjet e fundit më keni dhënë besimin për të vazhduar punën e filluar, por ja që ky sistem elektoral i pazareve është ashtu siç është, ku udhëheqësinë me Komunën e marrin ata që kanë humbur bindshëm zgjedhjet.

Një hap i madh regresi për Preshevën, një hap mbrapa për qytetarët tanë. Sidoqoftë Alternativa për Preshevën do të kthehet shumë shpejtë, meqë siç e dijnë të gjithë NDRYSHIMI NUK NDALET!

I falënderoj nga zemra mijëra përkrahës, votues, anëtarë, si dhe gjitha instancat e Alternativës sonë! 💙

I falënderoj nga zemra bashkëpunëtorët e mi në administratën komunale dhe institucioneve ku themelues është Kuvendi, e sidomos anëtarët e kabinetit tim, që kanë punuar ditë e natë për të mirën e Preshevës. 💙

I falënderoj nga zemra Diasporën tonë Shqiptare të shpërndarë në gjithë rruzullin tokësor, e i them se keni qenë dhe jeni patriot e atdhedashës. 💙

I falënderoj nga zemra të gjithë qytetarët e Komunës së Preshevës që angazhohen për një jetë të mirë në vendin tonë. 💙

I falënderoj nga zemra familjen time, bashkëshortes, prindin, vajzave të mia për mirëkuptimin dhe durimin e tyre të palodhur me rastin e mungesës sime gjatë udhëheqjes së Komunës së Preshevës. 💙

Dhe për fund një lajm të hidhur për gjithë cinikët, keqdashësit e vendit tonë, ozurpatoret, linçuesit publik, puthadorët, lajkatarët e servilët të kastave politike, unë Shqiprim Arifi jam këtu në vendin tim në Preshevë dhe këtu do të mbetem, sepse është fare e thjeshtë Unë e dua Preshevën! ❤

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *