Shefi i kabinetit të Donika Gërvallës i thotë Evropës se i shpalli luftë Rusia

Lajme

Shefi i kabinetit të Gërvallës i thotë Evropës se i shpalli luftë Rusia.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, të hënën ka kërkuar nga NATO, SHBA’ja dhe BE’ja që të ndërmarrin veprime pas arrestimit të gazetarit Bjellorus, Roman Protasevich, nga pushteti i vendit respektiv.

Pas MPJ-së, edhe Shefi i Kabinetit të ministres së jashtme, Donika Gërvallës, Sharr Jakupi përmes një shkrimi në Twitter ka thënë se këtë e konsideron shpallje lufte.

“Këtë e konsideroj shpallje lufte. BE-ja nuk mund të lejojë që diktaturat e huaja të rrezikojnë lirinë e lëvizjes në Evropë; në mënyrë që t’i heshtin gazetarët”, ka shkruar Jakupi.

Ndryshe, postimi i MPJ-së në Twitter pati shumë reagime, pasi postimi në gjuhën angleze kishte shumë gabime.

Pa miratimin e Putinit asnjë sulm i Bjellorusisë ndaj avionit, asnjë kërcënim i ri nga Vuçiq, me 30 tanke të tjera, 30 mil. transportues nga Rusia. NATO, SHBA, BE duhet të marrin masa për të mbrojtur dhe mbrojtur aleatët”, thuhej në postimin anglisht të MPJ-së.

“Putini po bëhet më agresiv, duke shfrytëzuar dobësimin e Perëndimit. Pa aprovimin e Putinit, nuk do kishte sulme të Bjellorusisë ndaj aeroplanit…”, është thënë ndër të tjera në postim.

Analistët kanë kritikuar këtë postim.

“Politika e jashtme me Google translate”, thotë gazetari Imer Mushkolaj.

“Postime joprofesionale në Twitter nga Ministria e Jashtme e Kosovës. Postimi i sotëm i MPJ-së së Kosovës në Twitter lidhur me zhvillimet e fundit në Bjellorusi dhe rolin e Rusisë në Ballkan është joprofesional, jodiplomatik dhe joserioz”, thotë gazetari Enver Robelli.

Tutje ai tha se edhe postimi i para disa ditëve i kësaj ministrie për gjendjen në Lindjen e Mesme ishte i pakuptueshëm si dhe bën thirrje që MPJ të përmirësojë nivelin profesional.

“Postimi i para disa ditëve i MPJ-së në Twitter lidhur me konfliktin në Lindjen e Afërt ishte, po ashtu, joprofesional, i pabalancuar dhe e thjeshtësonte në mënyrë absurde një konflikt ku gjërat s’mund të shihen bardh e zi. MPJ urgjentisht duhet të arrijë nivel profesional të komunikimit me opinionin publik. Profili i MPJ-së në Twitter nuk është blog apo profil privat Facebooku, ku mund të shkruhet shkel e shko dhe me anglishte të dobët. Profili i MPJ-së në Twitter është, në fakt, pasqyrë e qëndrimeve të shtetit kosovar. Me postime si këto të fundit, Kosova shfaqet para botës me një pasqyrë të përlyer. Kësaj praktike duhet t’i jepet fund – menjëherë! Përgjegjësinë e bart jo vetëm MPJ, por tërë kabineti qeveritar, që duket si i përgjumur në komoditet votash”, shtoi ai.

Njohësi i çështjeve politike Agon Maliqi thotë se postimet duhet të jenë më serioze, teksa thotë se institucionet nuk mund të jenë në një nivel të postimeve sikur analsitët e Facebook-ut.

“Lutje për Ministrinë e Jashtme: postimet zyrtare në Twitter të jenë më serioze dhe koherente në stil, gjuhë dhe përmbajte. Nuk mundet shteti me postu statusa freestyle si ato të opinionistëve të Facebook-ut, bëhesh horrë si shtet saora”, tha ai.

Pas kritikave, MPJ ka fshirë këtë postim nga llogaria në Twitter, duke e zëvendësuar më pas me një tjetër duke e përmirësuar nivelin e gjuhës angleze.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *