SHBA dhe BE në Samitin në Bruksel bëjnë një zotim për dialogun Kosovë-Serbi

Lajme

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara ranë dakord sot në Samitin në Bruksel se do të intensifikojnë bashkëpunimin për çështje të shumta globale, përfshirë angazhimin e përbashkët në Ballkanin Perëndimor, i cili përfshin dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara thanë në një deklaratë të përbashkët se qëllimi i samitit të sotëm ishte rinovimi i Partneritetit Transatlantik dhe vendosja e një axhende të përbashkët transatlantike për epokën post-pandemike.

Të dy palët u zotuan të forcojnë bashkëpunimin për shumë çështje, sikundër janë lufta kundër pandemisë ndryshimi i klimës, marrëdhëniet me Rusinë, Kinën, Iranin dhe një pikë e deklaratës i referohet Ballkanit Perëndimor.

“Ne synojmë të forcojmë më tej angazhimin tonë të përbashkët në Ballkanin Perëndimor, ndër të tjera përmes dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit mbi normalizimin e marrëdhënieve të tyre të ndërmjetësuara nga BE dhe mbështetjes për reformat kryesore në rrugën e integrimit evropian”, thuhet në deklaratën e përbashkët të BE’së dhe SHBA’së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *