Për skandalin diplomatik ku Kosovën e paraqiti me fusnotë, Mali i Zi del me sqarim

Lajme

Ftesa për pjesëmarrjen në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në mesin e tetorit në Malin e Zi, iu dërgua ministres së Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli në përputhje me statutin e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), dhe u përdor terminologjia e pranuar nga pjesëmarrësit.

Kështu thanë nga Ministria e Administratës Publike dhe Shoqërisë Digjitale të Malit të Zi.

Më herët të enjten, Radio AntenaM nga Mali i Zi publikoi një faksimil që tregonte se si ministrja e Shoqërisë Digjitale e Malit të Zi, Tamara Sërzentiq, ftonte ministren Rizvanolli që të merrte pjesë në Samitin Digjital, por në ftesë, emri i Kosovës ishte shënuar së bashku me fusnotë.

“I gjithë organizimi është në përputhje me rregullat për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale. Kështu që ftesa e dërguar ministres së Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli nuk ka shkelur protokollin diplomatik dhe praktikat më të mira multilaterale”, tha Ministria e Administratës Publike dhe Shoqërisë Digjitale e Malit të Zi.

Nga kjo ministri thanë se Mali i Zi dhe Kosova kanë zhvilluar marrëdhënie kuptimplote dhe cilësore, bazuar në parimet e besimit reciprok, fqinjësisë së mirë dhe kanë një perspektivë të përbashkët evropiane dhe euroatlantike.

Ne jemi të bindur se në periudhën e ardhshme, ato (raportet Mali i Zi-Kosovë) do të përmirësohen edhe më tej në bazë të besimit dhe respektit reciprok, thanë nga kjo ministri, sipas rel.

Nga Ministria e Ekonomisë së Kosovës nuk kanë komentuar deri më tani lidhur me këtë ftesë

Qeveria paraprake e Malit të Zi që udhëhiqej nga Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Millo Gjukanoviq, njohu pavarësinë e Kosovës më 2008.

Në të gjitha dokumentet e mëparshme të Qeverisë së Malit të Zi, Kosova trajtohej në përputhje me vendimin për njohjen e pavarësisë, duke mos e përdorur fusnotën.

Më herët, edhe në një njoftim të qeverisë aktuale – që u zgjodh në dhjetorin e vitit të kaluar – që kishte të bënte me masat kundër pandemisë, emri i shtetit të Kosovës u shënua me fusnotë. Më pas qeveria tha se në këtë njoftim kishte pasur gabim teknik.

Po ashtu, në një manifestim të planifikuar, që më pas u anulua, me rastin e njëvjetorit të fitores në zgjedhjet në Mal të Zi, Qeveria e Malit të Zi, në vend të ambasadorit aktual, Ylber Hysa, e kishte ftuar ish-ambasadorin Sërxhan Sentiq.

Në përgjigje të ftesës, ambasada e Kosovës e kishte falënderuar kryeministrin e Malit të Zi, por e kishte njoftuar se Sentiq nuk ishte ambasador për më shumë se katër vjet dhe ofruan që t’u jepnin informacionet e tij nëse Qeveria e Malit të Zi dëshironte që ta ftonte atë në këtë manifestim.

Qeveria e Malit të Zi u zgjodh dhjetorin e vitit 2020. Shumica parlamentare përbëhet nga tri parti të koalicionit, ku partia më e madhe është Fronti Demokratik. Kjo parti ka bërë thirrje për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Ndryshe, më 2012 në Bruksel është arritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për përfaqësimin rajonal të Kosovës, ku kur përdoret emri i Kosovës vendoset edhe një fusnotë. Kjo fusnotë përdoret kryesisht nga shtetet që nuk e njohin Kosovën./meKryeministrin.info/

The post Për skandalin diplomatik ku Kosovën e paraqiti me fusnotë, Mali i Zi del me sqarim appeared first on meKryeministrin.info.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *