Operacion i suksesshëm policor i Policisë së Kosovës në bashkëpunim me autoritetet e shtetit zviceran

Lajme

Policia e Kosovës në bashkëpunim me autoritetet e shtetit zviceran ka realizuar një operacion të suksesshëm policor, duke bërë ngrirje të pronave dhe llogarive bankare

Policia e Kosovës përmes një komunikate ka njoftuar se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në funksion të bashkëpunimit ndërkombëtar për zbatimin e ligjit më datë 14.09.2021 ka zhvilluar një operacion të bastisjeve në katër lokacione, tri në Regjionin e Gjakovës dhe një në Regjionin e Prishtinës.

Sipas njoftimit operacioni është zhvilluar me urdhëresë të gjykatës Themelore në Prishtinë/Departamenti Special, pas kërkesës së pranuara nga autoritetet policore të shtetit të Zvicrës, në bashkëveprim me një ekip hetuesish dhe një prokuror nga Shteti i Zvicrës, nëpërmes ndihmës juridike ndërkombëtare.

Gjatë këtij operacioni në rajonin e Gjakovës janë bastisur dy shtëpi me objekte përcjellëse dhe një zyre projektuese, ndërsa në Prishtinë është bastisur një banesë. Gjatë bastisjes është arritur të sekuestrohen dokumente të ndryshme si: kontrata, fatura, dokumentacione tjera përcjellëse si dhe një veturë.

Gjykata kompetente në lidhje me rastin ka shqiptuar masën për parandalimin e shitjes së pronave (dy shtëpive dhe një banesë) dhe ngrirjen e llogarive bankare të të dyshuarave.

Po ashtu sipas këtij njoftimi dy persona janë të dyshuar për veprat penale ”Pastrim i Parave”, “Mashtrim” dhe “Falsifikimi i Dokumenteve“ bazuar në legjislacion penal të shtetit të Zvicrës dhe rasti është duke u hetuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

The post Operacion i suksesshëm policor i Policisë së Kosovës në bashkëpunim me autoritetet e shtetit zviceran appeared first on meKryeministrin.info.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *