Një muaj paraburgim për arsimtarin që vrau babën e nxënëses në Pejë

Lajme

Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, i ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit Xhevdet Januzaj, për vrasje të rëndë dhe përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm.

“Me datë 18.05.2021, rreth orës 15:30 minuta, në një lokal në Pejë, me dashje ka privuar nga jeta tani viktimën G.K dhe ka rrezikuar seriozisht jetën e personave të tjetër prezent në atë lokal, në atë mënyrë që për shkak të një ngjarjeje të mëhershme që kishte ndodhur ku i pandehuri ishte akuzuar dhe dënuar për ngacmim seksual të vajzës minore të viktimës, pasi viktima hyn në lokal dhe ulet në një tavolinë e porosit pije, me ta vërejtur të pandehurin ulur në tavolinën tjetër, nxjerr revolen nga brezi, e futë fishekun në tytë dhe shkon e ulet në tavolinën e të pandehurit dhe provon të shtie në drejtim të tij por pasi arma i bllokon, i pandehuri nxjerr revolen dhe gjuan shtatë herë në drejtim të viktimës, i cili për pasojë ndërron jetë në vend”, njofton Gjykata.

“Me këto veprime i pandehuri XH.J kishte për të kryer veprën penale vrasjes e rëndë nga neni 173, par.1, nënpar.1.5 të KPRK-së dhe veprën penale përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 367 par.1 të KPRK-së.

Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se i njëjti e ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet. Gjithashtu, duke e pas parasysh se i pandehuri menjëherë pas kryerjes së veprës penale është arratisur dhe është dorëzuar vetëm pasi i janë vënë në ndjekje organet e policisë si dhe duke e pas parasysh dënimin e lartë që i kanoset po qe se vërtetohet fajësia e tij nga ana e gjykatës, janë rrethana reale që dëshmojnë se po qe se i njëjti gjendet në liri do të mund të fshihet apo t’iu shmanget organeve të ndjekjes, e me këtë të pengonte zbardhjen e rastit”, njofton tutje Gjykata.

“Gjykata e ka aprovuar propozimin e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit XH.J edhe duke u nisur nga fakti se në këtë fazë nuk janë dëgjuar dëshmitarët e rastit e as familjarët e viktimës dhe se raportet mes familjes së viktimës dhe të pandehurit janë të acaruara gjithashtu, duke e marrë parasysh peshën e veprës penale dhe mënyrën e kryerjes, gjykata ka vlerësuar se me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri, i njëjti mund të ndikojë në dëshmitarë, mund të përsërisë veprën e njëjtë apo të kryej vepër tjetër penale.

Gjykata sipas detyrës zyrtare vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë mirëpo, vlerësoi se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit”, përfundon njoftimi i tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *