Nga mungesa e kontrollit gjyqësor, lufta ndaj korrupsionit mbetet prioritet në letër

Lajme

Emisioni ‘Iustitia’, ka bërë një raport të zgjeruar për këtë temë, ku raportohet se nga mungesa e kontrollit gjyqësor, penalizohen qytetarët, por edhe rastet e korrupsionit.

Lufta ndaj korrupsionit mbetet prioritet në letër, për të gjitha institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në vend. Një numër i madh i rasteve të korrupsionit, të raportuara qoftë në polici apo prokurori që i takojnë fazës parapenale apo fazës së hetimit në procedurën penale, mbyllen nga prokuroria pa kontroll gjyqësor.

Një ndër rastet më reprezentative, që dëshmon pasojat e mëdha të mungesës së kontrollit gjyqësor, është rasti i familjes Kastrati nga komuniteti rom.

Alijlj Kastrati thotë se kishte jetuar para luftës në shtëpinë e tij në Obiliq. Në vitet e 90-ta, ai me familje kishin emigruar në Gjermani. Gati dy dekada pas luftës, ai ishte kthyer në vendlindje, por nuk e kishte gjetur shtëpinë.

“Kjo është shtëpia ime si ka qenë. Një muaj kam jetuar aty edhe kom dalë në Gjermani dhe më jo. Pastaj kur kam dëgjuar se e kanë shitur dikush shtëpinë, unë nuk kam ditur kush e ka shitur, e as kush e ka blerë. Kemi shkuar në komunë e gjykatë, në gjyq i kemi marrë letrat krejt e kemi parë kush e ka blerë e kush i ka dhënë të drejtë ta blejnë, e kush e ka shitur dhe tani unë e kam marr një avokate këtu në Gjermani”, tha Kastrati.

Tani në pronat e familjes Kastrati, figuron si pronar Qerim Preniqi. ‘Iustitia’ ka vizituar pronat e kontestuara dhe e ka takuar Qerim Preniqin. Ai ka refuzuar të intervistohet, me arsyetimin se kjo punë i takon gjykatës.

Alijlj Kastrati thotë se ka arritur të sigurojë provat dhe dëshmitë se shitja e pronave të familjes Kastrati, ishte bërë përmes autorizimeve të falsifikuara.

Avokatja e familjes Kastrati, Xhevahire Klopner, thotë se në prokurori ka dorëzuar 25 prova, përfshirë autorizimet e falsifikuara.

“Deri sot nuk e di si është avulluar kjo lëndë, nuk e di a kanë ndërmarr ndonjë veprim. Kam provuar disa herë ta marr numrin e lëndës në prokurori, kurrë nuk më është dhënë, asnjëherë. Deri sot nuk e di çka ka ndodhur me këtë lëndë, edhe nuk e di pse prokurori nuk vepron, nuk e lufton krimin, por e përkrah, në rastin konkret, kur dihet se është ozurpuar prona”,tha ajo.

Emisioni ‘Iustitia’ ka drejtuar kërkesë zyrtare në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, përkatësisht te kryeprokurori i kësaj prokurorie, Kujtim Munishi, për ta intervistuar rreth këtij rasti dhe rreth fenomenit të mbylljes së rasteve përmes hedhjes së kallëzimeve penale dhe pushimit të hetimeve, të cilat nuk kalojnë përmes kontrollit gjyqësor.

Në një përgjigje të shkurtër nga zyra për media e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, thanë se “lënda me numër sipas ankesës së propozuesve gjendet në Gjykatën e Apelit të Kosovës”.Por, nga Gjykata e Apelit, emisioni ‘Iustitia’, nuk ka marrë përgjigje.

Në rastin konkret, mungesa e dispozitave ligjore në Kodin e Procedurës Penale, për të parashtruar ankesë ndaj vendimit të Prokurorit të Shtetit, i ka kufizuar të drejtën e qytetarëve të Kosovës, për të drejtën në ankesë dhe të drejtën për qasje në gjykatë, që bie në kundërshtim me parimet e garantuara me Kushtetutë.

Në tre vjetët 2017, 2018 dhe 2019, në procedurën parapenale pa kaluar përmes kontrollit gjyqësor, janë mbyllur 1.556 raste me 2.640 persona.

Gjatë kësaj periudhe kohore, Prokurori i Shtetit ka mbyllur rastet e hetimeve parapenale dhe penale ndaj 1.601 personave, të cilët janë dyshuar për përfshirje në veprat penale të korrupsionit. Ndaj 913 personave, prokurorët kanë hedhur poshtë kallëzimet penale, kurse ndaj 688 personave kanë pushuar hetimet.

Sikurse ky rast, në shumë denoncime të tjera, sidomos për korrupsion, rezulton se rastet mbyllen pa kontroll gjyqësor në polici dhe prokurori.

Arsyetimet zyrtare të përfaqësuesve të këtyre institucioneve, janë se nuk ka pasur prova dhe dëshmi. Në fakt, vetë zyrtarët policorë, ankohen se shumë raste të tyre, hedhen nga prokurorët. Ish-drejtori i Departamentit për hetime në Policinë e Kosovës, Riza Shillova, thotë se kontrolli gjyqësor në fazën e hetimeve, do të ndihmonte të gjitha organet e ndjekjes.

“Për ne si polici, do të ishim shumë më të kënaqur që çdo veprim apo çdo punë që bëjmë ne në fazën e hetimeve, të trajtohet edhe në aspektin gjyqësor, sepse ligjshmëria ose vendosja në gjykatë, mendoj që eliminon të gjitha dilemat që mund t’i kemi”, tha Shillova.

Mungesa e këtij kontrolli gjyqësor, sipas ish-kryetarit të Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, shfrytëzohet nga policët dhe prokurorët e ndikuar, që të abuzojnë me të drejtat e qytetarëve dhe të njëjtën kohë ata keqpërdorin mandatin e tyre, për të amnistuar të korruptuarit e fuqishëm.

“Unë mendoj se do të duhej të kishte një kontroll gjyqësor, që të mos lejohet që hedhja e kallëzimit penal të përfundojë me një aktvendim që është hedhur kallëzimi penal dhe pa asnjë mundësi që ai vendim i prokurorit, të kontrollohet nga ana e një gjykate për të parë a ka pasur të drejtë ose jo prokurori për ta hedhur kallëzimin penal apo jo”, deklaroi Fejzullahu.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, pranon se në bazë të legjislacionit, nuk ka kontroll adekuat të hetimeve.

“Juridikisht, në bazë të ligjeve, tash nuk ka ndonjë kontroll adekuat në kuptimin se mund të trajtohet një rast, për shembull, që mbyllet nga prokurori, se kur heq dorë prokurori në një instancë të dytë. Por, ato raste zakonisht duhet të kontrollohen prej eprorëve për të parë nëse vërtet hedhja e një kallëzimi penal apo pushimi i një hetimi, ka qenë i bazuar apo ka qenë joprofesional”, tha Isufaj.

Kthimin e kontrollit gjyqësor dhe të drejtën e palëve për t’u ankuar në vendimet e prokurorëve për mbylljen e rasteve, e kanë parë të domosdoshme edhe në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Problemet ende vazhdojnë, ndërsa zgjidhja tentohet të bëhet përmes plotësimit të ligjeve, të cilat mundësojnë kontroll gjyqësor në të gjitha këto hetime.

Ardian Bajraktari, ushtrues detyre i sekretarit të përhershëm në Ministrinë e Drejtësisë, thotë se në këtë drejtim, Ministria e Drejtësisë, përmes një grupi punues për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës Penale, pritet ta adresojë si pikë të veçantë çështjen e kontrollit gjyqësor në fazën e hetimeve.

“Pamundësia e atakimit të vendimit, qoftë për hedhjen e kallëzimeve penale ose edhe për pushimin e hetimeve ka qenë dhe vazhdon të mbetet një prej sfidave ose çështjeve e cila duhet të adresohet. Në këtë drejtim, ne së fundmi kemi themeluar një grup, puna e të cilit do të adresojë disa prej çështjeve të cilat janë të natyrës jashtëzakonisht të ndjeshme, në kuadër të të cilave bën pjesë edhe kjo”, tha Bajraktari.

Ministria e Drejtësisë ende është në proces të ndryshimit dhe plotësimit të Kodit të Procedurës Penale. Deri në miratimin e dispozitave të reja ligjore që mundësojnë kontroll të hetimeve, policët dhe prokurorët, mbesin të kontrolluar vetëm nga monitorimet e pavarura, që bëhen nga shoqëria civile dhe raportimet e gazetarëve për raste specifike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *