Mimoza Kusari flet për hatërmbetjen me Avdullah Hotin

Lajme

Mimoza Kusari-Lila ka folur për formimin e institucioneve të reja dhe raportet që kanë me partitë që dolën humbëse në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Thotë se duhet biseduar për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente derisa për formimin e qeverisë thotë se s’ka nevojë për koalicione.

Kusari rrëfeu edhe një rast kur kryeministri Avdullah Hoti, nuk e përshëndeti.

“Mendoj se hapësirë për koalicione qeverisëse nuk ka në kuptimin se është e qartë vullneti i qytetarëve për atë se çfarë qeverie duan. Por për bashkëbisedim dhe ulje rreth tryezës politike për procesin e zgjedhjes se presidentes natyrisht se po. Ne do të jemi bashkë në Kuvendin e Republikës së Kosovës si pozitë dhe opozitë”, tha Kusari-Lila.

“Presidentja apo roli i presidentes paraqet një pozitë unifikuese e cila duhet të jetë një person që tejkalon kufijtë politikë të një subjekti apo një liste prandaj jam e bindur se edhe takimet me përfaqësues të partive politike do të fillojnë së shpejti që të kemi një proces që kalon shpejt, pa ndonjë traumë dhe natyrisht që kemi një formim të suksesshëm të institucioneve”, theksoi ajo për Euroneës Albania.

Kusari-Lila nuk mendon se ka arrogancë nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani.

“Fituesit nuk duhet të kërkojnë falje për fitoren, duhet të jenë gjithashtu edhe në vijë me suksesin e arritur dhe besoj se kjo ka qenë ai elementi që është dukur ose është dhënë përshtypja se z. Kurti dhe znj. Osmani mund të jenë arrogantë por nuk e besoj dhe nuk e kam parë si të tillë, në veçanti jo këtyre ditëve të fundit kur ushtruesja e detyrës së presidentes ka qenë në krye të detyrës ..”, shtoi Kusari-Lila.

Kusari-Lila tha se ishte Avdullah Hoti që ditë më parë nuk e përshëndeti kur u takuan për homazhe në Prekaz.

“Unë e takova z.Hoti. Isha me delegacion të Alternativës për homazhe. Ndërsa z.Hoti nuk më përshëndeti. Përderisa të tjerët nga Lidhja Demokratike e Kosovës na përshëndetën ai personalisht jo. Kështu që duhen dy persona për respekt të ndërsjellë. Nëse ai ende nuk e ka tejkaluar atë çfarë ndodhi në zgjedhje është prapë çështje e tij dhe LDK duhet ta bëjë”, tregoi ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *