Mërgimtari në kërkim, dyshohet se mashtroi për një rast të shërimit jashtë vendit, flasin Prokuroria dhe vetë ai

Lajme

Policia e Rajonit të Pejës e ka shpallur në kërkim dhe ia ka publikuar fotografinë një mërgimtari nga Gjermania. Sipas urdhërarrestit të lëshuar nga Gjykata, ai po kërkohet për veprën penale të mashtrimit. Por, për çfarë rasti të mashtrimit bëhet? Flet vetë mërgimtari dhe Prokuroria e Pejës.

Para rreth një muaji, mërgimtari Agim Dreshaj nga Prigoda e Istogut, e pa fotografinë e tij të publikuar në media. Por, jo për diçka të mirë.

Ai thotë se u informua nga raportimet e mediave se është shpallur në kërkim për veprën penale të mashtrimit nga Policia e Kosovës.

Nga Prokuroria e Pejës i kanë thënë Gazetës Express se kanë pranuar kallëzim penal ndaj Dreshajt në shtator të vitit 2019, për veprën penale të “Mashtrimit”.

Zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi, i ka thënë Gazetës Express se Dreshaj dyshohet se këtë vepër e ka kryer në bashkëpunim me një person me inicialet F.Q., në qershor të vitit 2018 në Spitalin Rajonal të Pejës.

“Prokuroria Themelore në Pejë me datë 12 shtator të vitit 2019, ka pranuar kallëzim penal nga Policia e Kosovë, ndaj të pandehurve A.D., dhe F.Q., nën dyshimin se të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi”, në dëme ndaj të dëmtuarit A.D.

Prokurori i Shtetit, lidhur me këtë rast ka marr aktvendim për fillimi e hetimeve në drejtim të veprës penale të lartcekur, ndaj dy personave të pandehur, të cilët dyshohen se veprën penale e kanë kryer me datat 16-17 qershor të vitit 2018 në Spitalin Rajonal të Pejës”, ka thënë Nikçi.

Ai ka deklaruar se Dreshaj është ftuar dy herë për intervistim nga prokurori i shtetit, por se i njëjti nuk u është përgjigjur këtyre ftesave.

Pas kësaj thotë se është njoftuar nga Stacioni i Policisë në Istog se i pandehuri gjendet jashtë shtetit, dhe se më pas është bërë kërkesë për lëshimin e urdhërarrestit.

“I pandehuri A.D., dy herë është ftuar përmes festave të rregullta, mirëpo i njëjti nuk ju është përgjigjur ftesave për intervistim nga prokurori i shtetit. Prokuroria Themelore në Pejë është njoftuar nga Stacioni Policor në Istog, se i pandehuri A.D., gjendet jashtë Republikës së Kosovës. Prokurori i shtetit ka bërë kërkesë për lëshimin e Urdhër arrestit drejtuar GJTH-Pejë, – Gjyqtarit të procedurës paraprake, me qellim të sigurimit të pranisë se të pandehurit: A.D., në procedure”, thuhet në përgjigjet e Nikçit drejtuar Gazetës Express.

E për këto dyshime është deklaruar edhe vetë Dreshaj në një prononcim për Gazetën Express.

Ai thotë se nuk është se ka edhe shumë informata për rastin, por se vetëm e di se ka të bëjë me një person që ka kërkuar ndihmë për shërim jashtë vendit.

Deklaron se ka dhënë para nga xhepi i tij për shërimin e personit në nevojë, por se s’ka ide se si ka përfunduar si i dyshuar për mashtrim.

Për personin me inicialet F.Q, thotë se është gazetar dhe se i njëjti është ai që i ka kërkuar ta ndihmojë personin që kishte nevojë për shërim jashtë vendit.

“Nëse del vetëm një dëshmitar që një cent e kam pranu, unë jam i gatshëm me u përgjigj para gjyqi”, thotë Dreshaj.

Sa i përket deklaratës së prokurorisë se i njëjti s’iu ështyë përgjigjur ftesave, Dreshaj thotë se është kontaktuar vetëm njëherë nga një person që është prezantuar si hetues i policisë, por se kur i ka kërkuar dëshmi se është hetues nuk e ka kontaktuar më.

Tutje, thotë se këtë muaj do të vije në Kosovë dhe menjëherë do të lajmërohet në prokurori.

“Po unë do të vije ka mesi i këtij muaji, edhe drejt (do të shkoj) në prokurori. S’po mundem për momentin sepse s’kam pushim”, ka deklaruar Dreshaj.

Për momentin kur është informuar se po dyshohet për mashtrim, Dreshaj ishte deklaruar edhe në Facebook.

“Sot përmes mediav e pash veten time ne kërkim policor për mashtrim. Unë Agim Brahim Dreshaj i lindur ne Prigodë te Istogut tash e 35 vite jetoj dhe punoj ne Gjermani. Deri me sot askënd se kam mashtruar e as një te keqe askujt nuk ja kam mënduar. Mëndimet e mija hapur i shprehi nëpërmjet rrjeteve sociale dhe janë te hapura për te gjithë.

Ju lutëm te gjithëve atyre qe ndihen te mashtruar nga unë qe ti postojnë dëshmitë e mashtrimit”, ka shkruar Dreshaj.

Për detaje se deri ku ka shkuar procedura për këtë rast, Express ka provuar që të kontaktojë edhe me avokaten e Dreshajt, Aurora Mulhaxhën, por e njëjta nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *