Lajçak kërkon nga opozita të jenë konstruktiv në raport me dialogun

Lajme

Miroslav Lajçak,ka qëndruar për vizitë në Kosovë.

Në vazhdën e takimeve me liderët politikë, në ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak takoi kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Pas takimit, Lajçak, tha se ka kërkuar nga partitë opozitare mbështetje dhe të jenë konstruktive për dialogun. Ndërsa, lideri i AAK-së tha se kërkoi rol më aktiv të SHBA-së në këtë proces.

Para gazetarëve, ndërmjetësi i dialogut, Lajçak tha se arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse është e mirë për Kosovën.

“Kërkova mbështetjen e partive opozitare për dialogun pasi arritja e një marrëveshje përfundimtare është në të mirë të Kosovës. Partitë opozitare kanë përvojë në dialog dhe për mua ishte e rëndësishme të dëgjoj mendimet e tyre. PO ashtu besoj se do të jenë konstruktivë dhe i konsideroj këto takime si shumë të rëndësishme dhe jam i kënaqur me rezultatet”, ka thënë Lajçak.

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj tha se qëndrimi i kësaj partie për dialogun është arritja e një marrëveshje obliguese ligjore, gjithëpërfshirëse për njohje reciproke në kufijtë aktualë dhe pa ndërhyrje të brendshme për Kosovën.

“I shpjegova zotit Lajçak se çështjet e një rëndësie kaq të madhe në Ballkan e kërkojnë rolin direkt të SHBA-së dhe është tepër me rëndësi roli i presidentit Biden përmes një të ngarkuari të posaçëm, në mënyrë që një marrëveshje e tillë, jo vetëm të jetë e suksesshme dhe zbatuese, por të ketë përkrahje të të gjithë aleatëve tanë. Ne mbesim në përkrahje të dialogut. Kemi thënë se do t’i bëjmë presion Qeverisë sonë, në mënyrë që kualiteti i marrëveshjes të jetë i duhuri, por nuk synojmë bllokimin e qeverisë, pra i japim përkrahje qeverisë që të arrijë një marrëveshje obligative ligjore gjithëpërfshirëse për njohje reciproke në kufijtë ekzistues me Serbinë”, theksoi Haradinaj.

Gjatë ditës, Lajçak, ka takuar edhe dy liderët tjerë opozitarë, Memli Krasniqi të PDK-së dhe Lumir Abdixhikun e LDK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *