Kurti reagon për djalin e Rashiqit, jo për rrahjen e gazetarëve – përgjigjet VV-ja

Lajme

Kreu i VV-së, Albin Kurti nuk ka reaguar për rrahjen e gazetarit, Visar Duriqi.

Express ka pyetur zëdhënësin e LVV-së, Përparim Kryeziun, pse Kurti nuk ka reaguar për rrahjet e fundit të gazetarëve, siç ka reaguar bie fjala për djalin e Nenad Rashiqit. Kryeziu thotë se nga partia e tij “çdo herë ka pasur një reagim perfaqësues” kundër dhunës ndaj gazetarëve.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, të cilët pritet ta udhëheqin Kosovën pas fitores në zgjedhjet e përgjithshme paralamentare të 14 shkurtit, nuk kanë reaguar ende personalisht lidhur me sulmin brutal ndaj gazetarit Visar Duriqi.

Bashkëpunëtorë të të dy liderëve kanë reaguar duke e dënuar sulmin, i cili i shkaktoi Duriqit lëndime, përfshirë thyerjen e hundës dhe dhëmbëve.

Zëdhënësi i LVV-së, Përparim Kryeziu, ka thënë për Express se LVV çdoherë ka pasur një reagim përfaqësues për secilin akt të dënueshëm të dhunës. Ai i ka numëruar zyrtarët e LVV-së që raguan për këtë rast

“Ne lidhje me pyetjen tuaj, LV cdo here ka pase nje reagim perfaqesues per secilin akt te denueshem te dhunes. Ne rastin e fundit te gazetarit Duriqi, deri me tani reagim ndaj sulmit dhe shprehje mbeshtetje ndaj gazetarit Duriqit kane bere te pakten kater anetare te Kryesise se LV-se, znj. Haxhiu, znj. Nagavci, znj. Kurti, z. Manxhuka qe eshte edhe drejtues i sekretariatit per media, nje numer ish-deputete dhe kandidate per deputete nga radhet e LV, dhe une, si zedhenes i LV-se qe flet ne emer te saj dhe kryetarit Kurti. Mund ta kuptoj shqetesimin tuaj, meqe ajo qe i ka ndodhur z. Duriqit eshte me te vertete e papranueshme. Urimi jone eshte qe nje situate e tille te mos perseritet as edhe nje here tjeter. Shpresoj qe pergjigjja e jone ta kete adresuar pyetjen dhe shqetesimin tuaj”, ka thënë Kryeziu.

Për mosreagimin e Kurtit ka reaguar edhe njohësi i çështjeve politike, Petrit Zogaj. Ai ka thënë se disa njerëz në LVV mendojnë se Visar Duriqi meriton të rrihet në atë mënyrë.

“Shume mire qe Albin Kurti nuk po reagon per dhunen e ushtruar ndaj Visar Duriqit. Visar me raste ka qene kritik ndaj LV-se dhe Kurtit. Me nje fjale, e meriton ate rrahje, nese jo me shume. Pra, ky eshte mendimi i njerezve ne LV, nje pjese te madhe te tyre. Por, mos te harrojme qe nese Kurti dhe LV e arsyeton kete rrahje, nje dite, pushteti i Kurtit do te merret edhe me mbeshtetesit e tij, e ndoshta atehere do te jete vone per me kerku mbeshtetje. Pamjet qe pashe te Visarit, tregonin per tentim-vrasje, jo vetem dhune keshtu ne pergjithesi”, ka shkruar Zogaj.

Reagimi i fundit i Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit për akte të tilla dhune, ka qenë të hënën, kur u sulmua në ambientet e shkollës, Nikolla Rashiq, djali i politikanit serb në Kosovë, Nenad Rashiq.

Ushtruesja e detyrës së presidentit në Kosovë Vjosa Osmani, ka thënë se sulmi ndaj djalit të Rashiqit është akt kundër demokracisë dhe lirisë së individit.

“Ftoj organet e rendit që sa më shpejt t’i sjellin para drejtësisë autorët e krimit. Është tashmë e qartë që sulmi ndaj tij është në vazhdën e kërcënimeve të shumta e ndërhyrjeve ilegale të Serbisë në Kosovë, që kanë për qëllim frikësimin e qytetarëve serbë”, është cituar të ketë thënë Osmani sipas një komunikate për media të Presidencës.

Ndërkaq Kurti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se sulmi ndaj djalit të Rashiqit mund të jetë i organizuar dhe ka të bëjë me veprimtarinë e babait të tij.

“Me keqardhje të madhe morëm lajmin se sot në Graçanicë, djaloshi 18 vjeçar, Nikolla Rashiq, u rrah brutalisht me armë të ftohta. Nikolla është i biri i Nenad Rashiqit, politikanit demokrat e të mirënjohur serb në Kosovë.Duket se ky krim banditesk ndaj Nikolla Rashiqit është i organizuar dhe ka të bëjë me prindin e tij që nuk u thye e as s’u nënshtrua ndaj trysnisë e kërcënimeve të Serbisë. Me gjasë, meqë nuk e frikësuan dot Nenad Rashiqin, ia rrahën të birin Nikollën.Në qeverinë tonë të re do të punojmë që të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim përkatësie kombëtare të jetojnë të sigurtë.Kërkoj që organet e rendit urgjentisht ta zbardhin këtë rast dhe kriminelët të përgjigjen para drejtësisë, ndërkaq Nikollës i uroj shërim të plotë e të shpejtë”, ka shkruar Kurti.

Sulmin brutal ndaj gazetarit Visar Duriqi, e ka dënuar Bashkimi Evropian, kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti dhe politikanë të tjerë. Për këtë ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, që e ka cilësuar rastin si sulm ndaj shprehjes së lire.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *