Kurti e Konjufca në takim virtual me Matt Palmer e Philip Kosnett

Lajme

Kryeministri në ardhje/Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe anëtari i Kryesisë, Glauk Konjufca kanë zhvilluar takim virtual, me Zëvendës Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Matt Palmer dhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.

Përmes një postimi në Twitter, Kurti ka theksuar se në këtë takim mes tjerash, diskutuan për nevojën urgjente të Kosovës për vaksina dhe për dialogun Kosovë-Serbi.

“Sot kam pasur një takim virtual me Zëvendës Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Matt Palmer dhe ambasadorin Kosnett. Ne diskutuam nevojën urgjente të Kosovës për vaksina, rëndësinë e investimeve tëShteteve të Bashkuara dhe koordinimin midis SHBA dhe BE mbi dialogun”, ka shkruar Kurti.

Ai tha se Palmer e përgëzoi për fitoren në zgjedhje dhe shprehu mbështetjen e tij.

Ndërkohë Palmer në një intervistë, ka theksuar se gjëja e fundit që i duhet Kosovës janë zgjedhje të tjera. Ai gjithashtu tha se opozita duhet të jetë lojale ndaj qytetarëve të saj dhe të veprojë me përgjegjësi ndaj shtetit.

“Sa i përket zgjedhjeve për presidencë, ne mendojmë se ato parti që do të jenë në opozitë, të veprojnë me përgjegjësi si opozitë lojale – lojale jo ndaj qeverisë, por lojale ndaj shtetit. Të bëjnë punën e tyre, të jenë të pranishëm, të sigurojnë që ka kuorum për të votuar dhe që institucionet të mund të funksionojnë. Gjëja e fundit që i duhet Kosovës janë zgjedhjet tjera. Kosovës i duhet një qeveri, një president dhe rrugëtim përpara drejt Evropës”, ka deklaruar Palmer.

Palmer theksoi se do të donte të shihte një qeveri të fortë, partnere e mirë e SHBA-së.

“Do të dëshironim të shohim qeveri të formuar, qeveri që do të jetë partnere e mirë, e fortë për Shtetet e Bashkuara. Nuk kemi të parapëlqyer në politikën e të tjerëve; punojmë me qeveritë që dalin nga zgjedhjet e lira, të drejta e demokratike. Duket që ka rrugë shumë të qartë përpara drejt një qeverie të fortë në Kosovë, që mund të jetë partnere e tillë e Shteteve të Bashkuara”, tha Palmer./meKryeministrin.info/

The post Kurti e Konjufca në takim virtual me Matt Palmer e Philip Kosnett appeared first on meKryeministrin.info.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *