Kryeministri Kurti vizitojë Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së në Divjakë

Lajme

Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së në Divjakë, në shënim të 22-vjetorit të çlirimit të Kosovës, e ka vizituar sot Kryeministri Albin Kurti.

Me këtë rast, të pranishëm ishin edhe ish-komandantët e UÇK-së, Sylejman Selimi e Agim Çeku.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, theksoi se datën 12 qershor e kujtojmë gjithmonë, dhe krenohemi përherë që për lirinë e Kosovës organizuam luftën çlirimtare duke fituar jo vetëm lirinë e shumëpritur, por edhe miqësinë dhe mbështetjen e NATO-s me të cilët u rreshtuam drejt dhe dolëm fitimtarë.

Në këtë manifestim të organizuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të pranishëm ishin edhe ministra të Qeverisë së Kosovës, deputetë të Kuvendit të Kosovës, luftëtarë të UÇK-së, veteranë e invalidë të luftës çlirimtare të Kosovës, të burgosur politik dhe familjarë të dëshmorëve.

Fjalimi i plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani,

I nderuari Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, zotëri Glauk Konjufca,

Të nderuar gjeneralë-komandantë Agim Çeku dhe Sylejman Selimi,

I nderuari gjeneralmajor i FSK-së, zotëri Enver Cikaqi,

Të nderuar ministra e deputetë,

Të dashur luftëtarë të UÇK-së, veteranë e invalidë, familjarë të dëshmorëve,

Të dashur të burgosur politik,

Të nderuar pjesëmarrës,

Pas ofensivave të ushtrisë serbe të vjeshtës së vitit 1998, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës zhvendoset nga Likoci këtu në Divjakë. Këto vargmale, me fshatrat Divjakë, Berishë e Kleqkë, u shndërruan në bazat më të mëdha dhe më të fuqishme organizative të UÇK-së, të udhëhequra nga Shtabi i Përgjithshëm, i cili u vendos këtu. Kjo shtëpi dhe ky vend, jo rastësisht u bënë strehë e UÇK-së. Në këto vise dhe shtëpi, u strehuan dhe u zhvilluan aktivitetet e organizatave e veprimtarëve të shumtë, të cilët punonin për lirinë e atdheut, siç ishte për shembull edhe Afrim Zhitia.

Riorganizimi i Ushtrisë Çlirimtare me vendosjen e Shtabit të Përgjithshëm në Divjakë, shënoi një hap të rëndësishëm në mbajtjen e linjave komunikuese më të lehta edhe me zonat e tjera, por jo vetëm: konfiguracioni i këtij vendi si pozicion mjaft strategjik i mundësoi UÇK-së të zhvillojë një strategji luftarake sulmuese, por edhe mbrojtëse të pozicioneve të veta duke mos lejuar përparim të forcave serbe në drejtim të bazave kyçe të UÇK-së, siç ishte Shtabi i Përgjithshëm, Spitali Ushtarak, selia e Radios “Kosova e Lirë” dhe agjencisë së lajmeve “Kosovapress”.

Ky vend këtu nuk u shkel asnjëherë nga forcat serbe, edhe pse pati mësymje të shumta, jo vetëm nga këmbësoria, por edhe nga ajri. Falë rezistencës dhe luftës së organizuar të njësive të UÇK-së që vepronin në këto vargmale, siç ishte Brigada 121 “Ismet Jashari”, Njësia Speciale pranë Shtabit, Njësia e Logjistikës e të tjera, jo vetëm se mbrojtën hapësirat ku vepronin, por u bënë mburoja për qindra mijëra shqiptarë civilë që ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe të cilët strehohëshin nëpër të gjitha këto gryka malesh përreth kësaj zone.

Shtabi i Përgjithshëm në Divjakë që udhëhiqej nga Shefi i Shtabit, Gjeneral Agim Çeku, i cili po e pasonte Gjeneral Sylejman Selimin, ishte baza e parë e UÇK-së e cila mirëpriti oficerët e parë të NATO-s kur ata zbarkuan nga ajri qysh më 10 qershor 1999. Ky vend dhe kjo shtëpi Shtab, shënon një moment historik të miqësisë dhe bashkëpunimit me NATO-n. Kjo shtëpi ishte e plakut Nezir Zogaj, i burgosur politik me neve të tjerëve që ishim rob lufte, edhe pas mbarimit të luftës, me Nait Hasanin, Bislim Zogajn, Enver Dugollin, e shumë e shumë të tjerë nëpër burgjet e Serbisë. Baca Nezë është i paharrueshëm edhe pas vdekjes, ashtu siç është kjo shtëpi edhe pas çlirimit.

12 Qershori, është dita e çlirimit të Kosovës, prandaj e kujtojmë gjithmonë dhe krenohemi përherë që për lirinë e Kosovës organizuam luftën çlirimtare, duke fituar jo vetëm lirinë e shumëpritur, por edhe miqësinë dhe mbështetjen e NATO-s me të cilët u rreshtuam drejt dhe dolëm fitimtarë.

Në këtë ditë dhe në vazhdimësi, i kujtojmë dhe nuk do t’i harrojmë, heronjtë dhe dëshmorët, luftëtarët dhe patriotët e të gjithë brezave e të të gjitha kohërave të cilët na mundësuan që ne sot të gëzojmë lirinë.

Lavdi të gjithë atyre!/meKryeministrin.info/

The post Kryeministri Kurti vizitojë Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së në Divjakë appeared first on meKryeministrin.info.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *