Ish-veterani i UÇK’së rrëfen për arrestimin: Polici më shkeli protezën në këmbë, eprori më kërcënoi

Lajme

Anëtari i kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faik Fazliu, është arrestuar mbrëmjen e së shtunës në një lokal në Prizren.

Fazliu tregon se ai është ndjerë shumë keq që si veteran i luftës është nëpërkëmbur nga Policia e Kosovës.

I ftuar në emisionin Frontal në T7 me Arsim Lanin, ai ka thënë se gjatë arrestimit nga policia, ai ka pësuar probleme shëndetësore, raporton Gazeta Express.

Ai ka deklaruar se pas rrëzimit nga ana e policisë, ai ka pasur probleme me boshtin kurrizor, ndërsa pasi i janë vënë prangat, thotë se një nga policët i ka vënë gjurin në protezën që ka në këmbë.

“Ju kam thënë 3-4 herë mi qitët prangat kujdes tani, po nuk kanë pas kujdes. I kam pyet se çfarë ju bëra, më ka thënë mbylle gojën se ja u hoqa krytë dhe nuk kam thënë asnjë fjalë. Kur jam rrëzuar unë kam pasur probleme me boshtin kurrizor. Ndërsa, i lidhur me pranga policia ma ka shkel protezën me gju”, ka deklaruar ai.

Fazliu ka treguar se proteza që ka në këmbë i është krisur, andaj edhe nuk mund ta përdorë më shumë se një javë.

“Unë kur jam kthyer te shtëpia e kam parë se proteza është e krisur, kjo nuk është më funksionale. Ndoshta edhe 1 javë mund ta përdor”, ka thënë ai.

Ndërsa, maltretimi i tij thotë se nuk ka përfunduar me kaq.

Me të mbërritur në stacionin policor në Prizren, ai thotë se është kërcënuar nga eprori.

“Bujar Sahitaj më ka kërcënu. Kam dëshmitarë edhe policë. Unë e kam kuptuar se ata po më njohin dhe e kanë ditur se kush jam. Eprori më ka thënë se çfarë hamamin po lyp në Prizren. Mendova që po më njeh. I thash se nuk po të kuptoj. I thash më fal se paskam dit që nuk kam marrë leje. Kjo ke diçka e pakonceptueshme për mua”, ka deklaruar ai.

Përndryshe, Fazliu ka kritikuar edhe ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçlën.

Ai ka thënë se Sveçla e ka paragjykuar atë dhe se ka treguar se ai ka tendencë për t’i frikësuar ata që nuk e mbështesin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *