Huruglica: Mini Shengeni nuk ia sjell asnjë të keqe Kosovës

Lajme

Ish-drejtori i Doganës: Mini Shengeni nuk ia sjell asnjë të keqe Kosovës.

Ish drejtori i Doganës së Kosovës, Naim Huruglica, ka thënë se ka keqkuptime kur përmendet Mini Shengeni në Kosovë, pasi që sipas tij shumica e njerëzve nuk e dinë saktë se çfarë do të thotë kjo duke thënë se mendimi i tyre është “gjithçka vjen prej Serbisë është e keqe”.

Ish i pari i Doganës së Kosovës ka thënë se në dokumentin e marrëveshjes së Mini Shengenit në të cilin janë marrë vesh presidenti i Serbisë së bashku me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut dhe kryeministrin e Shqipërisë atëherë nuk mund të gjendet asgjë në të që bie ndesh me CEFTA-në apo Procesin e Berlinit.

“Aty vetëm ritheksohet nevoja që vendet e Ballkanit Perëndimor të punojnë në drejtim të lehtësimit të tregtisë me mallra dhe shërbime. Kosova nuk ka çka humbë nga këto iniciativa sepse ne jemi vendi i vetëm që në realitet nuk paraqet asnjë barriere për të tjerët që ta shfrytëzojnë tregun e Kosovës për eksportin e mallrave por edhe të shërbimeve të tyre. Ne jemi ata që vuajmë për të drejtën e lëvizjes edhe të eksportit në vendet e tjera”, është shprehur Huruglica në Rubikon të Klan Kosovës.

Tutje, Huruglica thotë se Mini Shengeni nuk ia sjell asnjë të keqe Kosvoës dhe se njerëzit në vend po e ngatërrojnë Mini Shengenin me Unionin Doganor, pasi që sipas tij, kur thuhet “Uninoni Doganor” atëherë të gjitha kontrollet kufitare hiqen mes vendeve anëtare dhe vendet anëtare e bëjnë një buxhet të përbashkët ku i derdhin ato mjete dhe e vendosin mënyrën e menaxhimit të atyre mjeteve se ku do të shkojnë.

“Mini Shengeni Ballkanik nuk ia sjell asnjë të keqe Kosovës. Këtë po e them me një kusht të vetëm që Kosova të jetë e barabartë dhe pyetja është se a do të pranonte në rastin konkret se ashtu si shkruan në ambulë të marrëveshjes ku shkruan “kryeministri i Republikës së Shqipërisë, kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut”, të jetë një rresht ku thuhet “kryeministri i Republikës së Kosovës””, është shprehur Huruglica.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *