Hoxhaj premton 3 vende të rezervuara për diasporën në listën për deputetë dhe rikthimin e Ministrisë së Diasporës

Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, në një konferencë për media ka prezantuar pakon qeverisëse, e cila përmban propozime konkrete për diasporën.

Hoxhaj ka thënë se 3 kandidatë për deputet nga kjo parti do të jenë nga diaspora.

“Në listën e PDK-së për kandidat për deputetë do të ketë 3 kandidatë që do të vijnë nga diaspora, do të propozohen nga diaspora, dhe do të jenë pjesë e listës së PDK-së. Këta do të jenë profile të mëdha politike dhe intelektuale”, tha ai,

Kandidati i PDK-së për kryeministër ka premtuar rikthimin e Ministrisë së Diasporës.

“PDK e ka themelu Ministrinë e Diasporës dhe ka qenë një koalicion qeverisës i cili e ka shu Ministrinë e Diasporës. Hapi i parë që do të bëjmë si qeveri edhe rikthimi i Ministrisë së Diasporës”, tha ai.

Hoxhaj po ashtu premtoi ulëse të rezervuara për kandidatët nga diaspora.

“Me propozim të qeverisë do të jetë një kornizë ligjore e cila do të mundësojë që diaspora t’i ketë vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës”, theksoi Hoxhaj.

Ndërsa në fund të konferencës, Hoxhaj tha se mërgimtarët do të lirohen nga obligimet e sigurimit kufitar.

“Të lirohet diaspora nga obligimet e sigurimit kufitar jo vetëm për një vit por deri në anëtarësimin e Republikës se Kosovës në Këshillin e Byrove së Kartonit të Gjelbër. Si rrjedhojë, Kartoni i Gjelbër i cilitdo shtet në botë do të vlejë edhe në Republikën e Kosovës”, shtoi ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së.

Ende nuk është caktuar data e zgjedhjeve në Kosovë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Si kohë e përshtatshme për zgjedhje të reja janë përmendur fundi i janarit ose fillimi i shkurtit.

Kandidati i PDK-së për kryeministër do të jetë deputeti Enver Hoxhaj.

InfoDiaspora: