Enver Hasani reagon ashpër pasi Shpend Ahmeti kërkoi ndryshime kushtetuese

Lajme

Shpend Ahmeti kërkoi ndryshime kushtetuese, Enver Hasani i reagon ashpër.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, bëri thirrje për ndryshime kushtetuese për të qartësuar disa nene, pasi siç tha ai, askush nuk ka marr iniciativë për të ndryshuar “vendimet absurde të Enver Hasanit & Co”.

Për këtë ka reaguar Enver Hasani, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se nuk i shkon një kryetari të komune të përdorë terma pezhorativ ndaj një kryetari të respektuar kushtetues.

Hasani përmes një reagimi dërguar EO, tha se vendimet e Kushtetueses kanë përmbysur konjukturat e atyre që humbin zgjedhjet, duke mos i lënë të njëjtit që nëpër kafe e restorante të Prishtinës të themelojnë institucione e të rrëzojnë qeveri të zgjedhura me votën e lirë të qytetarëve të vendit.

Tutje, reagimi i plotë i Enver Hasanit:

Shpend Ahmeti paska përmendur emrin tim në një kontekst shumë pezhorativ. Nuk shkon që një kryetar komune, pa marrë parasysh bazën fiktive elektorale që ka, të ofendoj të tjerët duke i cilësuar ata si “Enver Hasani & Co”. Nuk ka asnjë kuptim një fyerje si kjo.

Nuk kam qenë ndërmarrje private “Enver Hasani & Co”, asnjëherë në jetën time, por kryetar i një organi të respektuar kushtetues që nga dita e parë e themelimit.

Kjo është e para që duhet ta dijë kryetari i Prishtinës, ani se me një bazë fiktive elektorale. E dyta që duhet ta dijë ai dhe çdokush është se vendimet e Gjykatës Kushtetuese të v. 2014, të njohura si VLAN I dhe VLAN II, kanë zbatuar me besnikëri germën dhe frymën e Kushtetutës së Kosovës, që ka një qeverisje parlamentare dhe me sistem proporcional zgjedhor, i tipit konsociacional.

Ato dy vendime fituesit të zgjedhjeve në Kosovë i japin përparësi sepse i ka dhënë kushtetutë-bërësi, jo ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

Ato vendime kanë përmbysur konjukturat e atyre që humbin zgjedhjet, duke mos i lënë të njëjtit që nëpër kafe e restorante të Prishtinës të themelojnë institucione e të rrëzojnë qeveri të zgjedhura me votën e lirë të qytetarëve të vendit.

Tani, megjithatë, as Shpendi e askush nuk ka më pse merret me to sepse ato i takojnë historisë: i pari aktgjykim që rrëzoi Albin Kurtin ka prishur standardin kushtetues të fituesit të zgjedhjeve.

I dyti, ndërkaq, ka rrënuar përfundimisht të drejtën e votës individuale sepse më nuk ekziston garancioni kushtetues nga neni 45 i Kushtetutës.

Mjafton të jesh i dënuar në komunikacion dhe i “lave duart”!

Me respekt. Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *